Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj merr pjesë në Ditën e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit – Knesset

Dita e Shqiperise ne Knesset.

  •   Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj, njëherazi dhe kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, mori pjesë në Ditën e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit, Knesset.
  • Foto e marre nga Parlamenti
     
     Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj merr pjesë në Ditën e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit – Knesset
    Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj, njëherazi dhe kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, mori pjesë në Ditën e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit, Knesset. Delegacioni parlamentar i pranishëm në këtë veprimtari përbëhej dhe nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, z. Anastas Angjeli dhe znj. Silva Caka.
    Dita e Shqipërisë është një eveniment që zhvillohet për herë të parë në Parlamentin e Izraelit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Knesset, Yuli-Yoel Edelstein. Në kuadër të kësaj dite, z. Edelstein mbajti një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Knesset, në të cilën nënvizoi se, kjo vizitë është një dëshmi e bashkëpunimit në rritje ndërmjet dy vendeve tona dhe i shërben forcimit të lidhjeve mes të dy parlamenteve.
    Z. Edelstein vuri në dukje rëndësinë e diskutimeve mbi projektet e përbashkëta në fusha me interes reciprok si ajo e energjisë, inovacionit, bujqësisë, turizmit, etj. Gjatë fjalës së tij ai vlerësoi përfshirjen në një kapitull të veçantë të lëndës së historisë në shkollat izraelite, i cili evidenton kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. “Ne përherë me mirënjohje vlerësojmë faktin se Shqipëria, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i vetmi vend në Europë, në të cilin numri i komunitetit hebre u dhjetëfishua në mbarim të saj. Mjafton ky fakt për të thënë gjithçka”, – tha z. Edelstein.
    Të njëjtën mirënjohje dhe vlerësim Kryetari i Knesset shprehu dhe në një takim të veçantë kokë me kokë me znj. Leskaj. Ndërkaq, gjatë bashkëbisedimit, në takimin me delegacionin parlamentar, z. Edelstein shprehu vullnetin e plotë për mbështetjen e gjithanshme ndaj Kuvendit të Shqipërisë.
    Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Leskaj, vlerësoi lart marrëdhëniet e ngushta të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë, me rrënjë të thella në realitetet historike, duke nënvizuar aktin historik dhe unik të shqiptarë për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nënkryetarja e Kuvendit vuri theksin në vlerat e përbashkëta që ndajnë popujt tanë, të tolerancës fetare, demokracisë, respektit për të drejtat e tjetrit, vlera që në këto kohë të vështira të terrorizmit,të kërcënimeve, të antisemitizmit, marrin një rëndësi të veçantë.
    Znj. Leskaj vuri në dukje qëndrueshmërinë e marrëdhënieve mes dy parlamenteve dhe vendeve që kanë krijuar një bazë të mirë për të avancuar veçanërisht në aspektet e ekonomisë, përmes projekteve të rëndësishme zhvillimore në fushën e energjetikës, të teknologjisë së informacionit, të infrastrukturës, bujqësisë, etj. “Në këtë kontekst, investimet izraelite në Shqipëri janë të mirëpritura në të gjitha ato fusha që paraqesin interes reciprok”, – u shpreh ajo.
    Në kuadër të Ditës së Shqipërisë, takime të rëndësishme u zhvilluan dhe ndërmjet Grupeve Parlamentare të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Izraelit, ku morën pjesë dhe Nënkryetarët e Knesset, Yoel Hasson dhe Yehiel (Hilik) Bar. Një takim i veçantë u zhvillua dhe me Kryetarin e Nënkomisionit për Politikën e Jashtme, z. Robert Ilatov. Në bashkëbisedimet me palëve u diskutua për situatën në rajonet respektive, si dhe për bashkëpunimin jo vetëm dypalësh, por edhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
    Dita e Shqipërisë në Parlamentin e Izraelit vijoi me çeljen e ekspozitës “Shqipëria përmes syrit fotografik”, në të cilën u paraqitën fotografi historike dhe artistike nga Shqipëria e viteve 1991-të dhe e vitit 2016-të, në fokusin e fotografit izraelit, Doron Bacher, i cili gjatë këtyre 25 viteve realizoi një set fotografish që nga emigrimi i komunitetit shqiptaro-hebre në Izrael e deri në ditët e sotme, duke vënë në dukje ndryshimet pozitive të Shqipërisë në këto vite. Ky eveniment i veçantë u nderua me praninë e Kryetarit të Knesset, z. Yuli-Yoel Edelstein, i cili, së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj, inauguruan hapjen e ekspozitës, që u prezantua nga Presidentja e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri, Felicita Yakoel.
    Në kuadër të vizitës në Jerusalem, delegacionit parlamentar të kryesuar nga Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Leskaj, iu rezervua një pritje e veçantë në muzeumin “Yad Vashem”, një memorial i kujtesës së martirëve dhe heronjve të Holokaustit, ku në nderim dhe në respekt të jetëve të humbura të popullit hebre, znj. Leskaj vendosi një kurorë me lule në emër të shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë.
    Pjesë e axhendës, ishte dhe një vizitë në qytetin e vjetër historik, Shfaram, ku znj. Leskaj u mirëprit nga Nënkryetari i Parlamentit të Izraelit, njëherazi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Izrael-Shqipëri, z. Hamad Amar. Me interes të veçantë u paraqitën dhe vizitat në institucione të rëndësishme të edukimit të lidershipit në Jerusalem.