Dje në qytetin e Karmielit,në Izrael, u organizua ceremonia për nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit mes bashkive të Beratit dhe Karmielit. Marrëveshja u nënshkrua përkatësisht nga Kryetarët e Bashkive, Petrit Sinaj dhe Adi Eldar.
Në fjalën përshëndetëse të të dy kryetarëve të Bashkive, u nënvizua rëndësia e veçantë që ka bashkëpunimi në kuadër të kësaj marrëveshjeje, në fushat e menaxhimit të administratave lokale, shkëmbimeve kulturore-artistike, intership-et dhe vendosja e lidhjeve mes të rinjve të dy qyteteve, programeve të përbashkëta dhe shkëmbim modelesh në administrimin e problematikave të infrastrukturës, eksperiencave në sistemin arsimor dhe ruajtjes së ambjentit.
Gjithashtu në ceremoni përshëndetën Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Bardhyl Canaj, Presidentja e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, Felicita Jakoel dhe Qytetari i Nderit i të dy Bashkive, Doktor Zino Mathatia.
Në ceremoni ishte i pranishëm komuniteti i shumtë shqiptaro-hebre, i cili jeton dhe punon prej kohësh në qytetin e Karmielit.
Me këtë rast, në ambjentet e Bashkisë së Karmielit, nën kujdesin e Ambasadës, u çel ekspozita fotografike "Shqipëria ndër vite" e fotografit izraelit Doron Bacher, i cili realizoi set-in fotografik me pamje nga Shqipëria dhe ndryshimet pozitive që ka pësuar ajo nga viti 1991 deri në vitin 2016.